Java Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit ndaj Stresit

Sot është dita e parë e Javës Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit ndaj Stresit (7 – 11 Nëntor).

Sot është dita e parë e Javës Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit ndaj Stresit (7 – 11 Nëntor). Është krijuar për të rritur ndërgjegjësimin ndaj çrregullimeve të shëndetit mendor, lidhur me stresin. Stresi është një përgjigjje automatike, mendore dhe emocionale e trupit të njeriut, ndaj një ngjarjeje sfiduese. Është pjesë normale e jetës së secilit prej nesh. Kur përdoret pozitivisht, stresi të çon në zhvillim, sepse na shtyn të mësojmë diçka të rë. Nga ana tjetër stresi negativ dhe afatgjatë mund të ulë cilësinë e jetës. Në këtë artikull ne duam të japim këshilla se si të menaxhojmë stresin, duke filluar nga stigma që rrethon këtë lloj problemi. Meqenëse Covid-19 ka shkaktuar një rritje të çrregullimeve lidhur me shëndetin mendor, veçanërisht ato lidhur me frikën ndaj vetmisë dhe përgjithësisht pikëllimin, ne duam t'i kushtojmë vëmendjen e duhur menaxhimit të stresit.  

Për ta bërë më të qartë situatën, tani do të flasim në gjuhën e numrave. 3 nga 4 persona nuk janë në gjendje të përballojnë nivelet e larta të stresit në jetën e tyre, 2 nga 4 persona ndihen të shqetësuar dhe 1 në 4 persona raportojnë se në një pikë të jetës së tyre kanë menduar vetvrasjen.  

Ajo që ne si profesionistë të kujdesit shëndetësor mund të bëjmë është të përqendrohemi në menaxhimin e emocioneve, duke dhënë këshilla se si ta trajtojmë këtë problem. Si fillim, duhet të mos e injorojmë stresin, sepse kjo gjë parandalon trajtimin e tij. Nëse i dimë shkaktarët që na krijojnë gjendje stresi, atëherë do të mund të jemi në gjendje ta menaxhojmë atë në mënyrën më të mirë të mundshme.  

Pra, cilët janë shkaqet më të zakonshme të stresit?  

Presioni për të patur sukses – 60% e të rinjve;  

Imazhi për veten – 49% e të rriturve;  

Shëndeti – 36% e të moshuarve;  

Imazhi i trupit – 36% e femrave & 23% e meshkujve;  

Strehimi – 32% e të rinjve;  

Puna – 26% e të rriturve;  

Borxhi – 22% e të rriturve.  

Çfarë mund të bëjmë për të menaxhuar stresin? Le ta themi me fjalë të thjeshta. Nëse një lule nuk çel, ne a fajësojmë lulen apo mjedisin, në të cilin ajo ndodhet? Gjëja e parë që ne bëjmë është të kontrollojmë tokën, dritën, ajrin përreth dhe lagështinë. Pra, tani le të mendojmë për veten tonë sikur ne jemi ajo lule. Duhet të analizojmë arsyet pse nuk çelim në mënyrën e duhur. Këtu janë 5 këshilla të thjeshta se si të jemi versioni më i mirë i vetes tonë.  

Të jemi të vetëdijshëm për mendimet tona  

Meditimi i drejtuar është një mënyrë e shkëlqyer për të kaluar kohë me veten, me mendimet dhe frikërat tona më të thella. Ka shumë video në internet për meditimin, të cilat mund të na ndihmojnë. Kur kemi nevojë për udhëzime për të ndryshuar formatin tonë së të menduarit, mund të bisedojmë me një mik, ose akoma më mirë me një psikolog. Ata mund të na japin një çelës për të trajtuar disa frika të braktisura, të cilat me, ose pa vetëdijen tonë na japin stress.  

Të praktikojmë frymëmarrje të thella 

Frymëmarrja e thellë është një mënyrë e shkëlqyer për të reduktuar aktivizimin e sistemit tonë nervor simpatik, i cili kontrollon reagimin e trupit ndaj një kërcënimi të perceptuar. Frymëmarrjet e thella të marra duke numëruar deri në pesë sekonda, të mbajtura për dy sekonda dhe të lëshuara gradualisht gjatë një numërimi prej pesë sekondash, mund të ndihmojnë në aktivizimin e sistemit tonë nervor parasimpatik, i cili ndihmon në reduktimin e stresit dhe ankthit të përgjithshëm që mund të përjetojmë.  

Të kryejmë ushtrime fizike dhe ushqehemi mirë  

Ushtrimet fizike dhe ushqimi i mirë janë dy komponentët kryesorë në menaxhimin e stresit. Është vërtetuar se ushtrimet fizike janë një qetësues i madh i stresit. Sa herë që ushtrohemi, trupat tanë lëshojnë një hormon të quajtur endorfinë, përgjegjës për atë ndjesinë euforike, që na pushton pas një stërvitje intensive.  

Ushqyerja është e rëndësishme pasi stresi mund të konsumojë disa vitamina, si A, B kompleks, C dhe E. Ndjekja e një regjimi të shëndetshëm ushqimor, jo vetëm që ndihmon trupin tonë të ndihet më mirë, por ndihmon edhe mendjen tonë, gjë që na lejon të luftoni stresin me sukses.  

Të menaxhojmë kohën që kalojmë në mediat sociale 

Të gjithë kemi dëgjuar shprehjen së ne jemi shembëlltyra e asaj me të cilën rrethohemi dhe një nga platformat ku konsumojmë më shumë informacion janë mediat sociale. Shpenzimi i kohës në faqet e mediave sociale mund të bëhet stresuese, prandaj duhet të jemi të vetëdijshëm për përmbajtjen që zgjedhim të ndjekim dhe të tregohemi përzgjedhës, në mënyrë që këtë përmbajtje ta përdorim për t’u ndjerë mirë.   

Të shoqërohemi me të tjerët 

Njerëzit janë qenie sociale. Duhet të kemi lidhje me njerëzit që të ndihemi të mbështetur. Njdesia e të qenit pjesë e një komuniteti, qoftë ky në punë apo përmes aktiviteteve të përbashkëta, siç janë sportet, është e rëndësishme për mirëqenien tonë. Shijimi i një aktiviteti të përbashkët na lejon të gjejmë mbështetje dhe të nxisim marrëdhënie që mund të jenë mbështetja jonë në kohë të vështira. 

Artikuj të ngjashëm