Si t’i mbushim bateritë e imunitetit plot me 5 hapa të thjeshtë

Lodhje, rënie energjie, shenjat e para të gripit apo ndonjë ftohje? Nuk vjen vetëm se mbaruan pushimet. Është ndërrimi i stinëve!

Vjeshta ka bukurinë e vet, për ata që e duan, por për të gjithë ama sjell sfida plot! Si farmacistë, e shohim të rëndësishme të ndajmë me ju këshilla të thjeshta, që së bashku të mund t’i paraprijmë problemeve. Na besoni, është më e lehtë sesa t’i trajtojmë ato.

E përfytyrojmë kështu: imuniteti është mburoja jonë dhe për ta forcuar, nuk na mjafton vetëm një vitaminë magjike. Na duhet një qasje e plotë ndaj mirëqenies. Boll më me llafe! Ja ku kemi, shkurt e saktë, 5 shtyllat ku duhet të mbështetemi për të qenë gati për çdo sfidë!

1. Vitaminat dhe mineralet

  • Vitamina C: nuk është thjesht D’Artagnani i Tre Musketerëve, por një antioksidant që mbron qelizat tona nga stresi oksidativ. Pasurojini vaktet tuaja me agrume, speca dhe brokoli, dhe do t’i jepni forcën që i duhet sistemit tuaj imunitar.
  • Vitamina D: tani në vjeshtë diell nuk kemi gjithmonë, sado të kujdesemi për t’i mundësuar vetes ndonjë shëtitje sa është ende ngrohtë. Në këto kushte vitaminën D mund ta marrim nga suplementet dhe ushqimet e pasura me vitaminë D. Të mos harrojmë që sistemi ynë imunitar “fle gjumë” pa të.
  • Zinku: ndihmon rruazat e bardha të gjakut të jenë më “vigjilente”. Burimet? Fara kungulli, arrat apo edhe mishi i kuq do ta ndihmojnë sistemin tonë imunitar t’i bëjë sytë katër përkundrejt çdo patogjeni.
  • Magnezi: suplementi i ri “në modë” nga fitness influencers. Çoç dinë në fakt! Stresi dhe lodhja zbrazin magnezin nga organizmi, e në këtë mënyrë bie edhe imuniteti, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm ta marrim si nëpërmjet ushqimit, ashtu edhe nëpërmjet suplementeve të duhura për nevojat tona.

2. Omega-3 dhe vaji i peshkut

Vaji i peshkut nuk është thjesht miku më i mirë për zemrën. Omega-3 gjithashtu ul inflamacionin dhe ndihmon trupin t’i përgjigjet sulmeve patogjene, duke e mbajtur organizmin në top formë! Një kapsulë në ditë ose ushqime të pasura me Omega-3, si salmoni apo sardelet, janë hap i duhur për të qenë me bateritë plot gjatë vjeshtës.

3. Probiotikët

70% e imunitetit vjen nga zorra. Kot nuk thonë të vjetrit që dashuria vjen nga stomaku! Shëndeti i zorrëve është kyç për shëndetin dhe mirëqenien tonë. Probiotikët rregullojnë florën intestinale, duke e bërë mbrojtjen tonë natyrale më efikase. Ja çfarë mund t’i shtoni dietës tuaj: pak kos natyral, kefir, turshi të fermentuara ose, nëse këto ushqime nuk janë për ju, në Ditë e Natë do të gjeni probiotikë të formuluar për secilin prej jush.

4. Regjim ushqimor i ekuilibruar dhe aktivitet i rregullt fizik

Asnjë suplement nuk e zëvendëson një regjim ushqimor të shëndetshëm. Frutat e stinës, perimet, proteinat dhe drithërat integrale furnizojnë trupin me energji dhe “armë” kundër patogjenëve. Është e çuditshme, por pasi e ke llastuar gjatë mjaftueshëm organizmin me ushqime të vërteta, kur vjen rasti të provosh ndonjë junk food, nuk do t’ju pëlqejë më shija.

Po aq i rëndësishëm është edhe aktiviteti fizik. Fillojeni pa premtime të mëdha. Mjafton ta nisni me një shëtitje gjysmë ore, pak yoga tek tapeti i shtëpisë, një çikë not sa është ende ngrohtë, ose mbase palestër pak më vonë… Trupit i duhet lëvizja po aq sa i duhet uji dhe ushqimi. Është një moment shumë i bukur i çdokujt me një rutinë të shëndetshme, kur e ndjen fizikisht nevojën për të lëvizur, sado pak.

5. Qetësia emocionale dhe gjumi

Nëse stresi na gërryen çdo ditë, asnjë suplement nuk bën mrekulli. Gjumi i mirë, menaxhimi i ankthit, meditimi dhe frymëmarrja e thellë nuk janë luks, por terapi imunitare. Një trup i qetë është më i fortë përballë çdo sfide sezonale!

Për ta përmbyllur

Imuniteti nuk forcohet me një hap të vetëm, por me një mënyrë jetese të mençur: vitamina, probiotikë, ushqim i shëndetshëm, aktivitet dhe qetësi shpirtërore. Ky është kombinimi që funksionon.

MSc. në Farmaci Beki Kokona 

Artikuj të ngjashëm