Guida e plotë e marrjes së vitaminave!

Në mëngjes, apo në mbrëmje? Para, apo pas buke? Guida e plotë e marrjes së vitaminave!

Vitaminat janë të dobishme për mirëmbajtjen e shëndetit të gjithë familjes. Në këtë artikull kemi përgatitur këshilla të thjeshta për mënyrën se si duhen marrë vitaminat, dhe orarin më të mirë për përfitim maksimal të efekteve të tyre në organizëm! Ajo çka duhet të dimë është që Vitamina A, D, E dhe K janë të tretshme në yndyrë dhe duhen shoqëruar me ushqim me yndyrë. Vitamina B dhe C janë të tretshme në ujë dhe për efekt maksimal duhen marrë esëll. 

Vitamina A është vitaminë e tretshme në yndyrë dhe gjendet në mënyrë të natyrshme në ushqime të ndryshme. Kjo vitaminë sugjerohet të merret me një vakt, të plotë, në të cilin ka yndyrë, siç është dreka. Ka rëndësi të veçantë në mirëmbajtjen e shikimit, në mirëmbajtjen e sistemit imunitar dhe atij riprodhues. Ndihmon në mirëfunksionimin e zemrës, mushkërive, veshkave dhe organeve të tjera. Nivele të ulëta të vitaminës A në organizëm sjellin probleme të ndryshme shëndetësore, siç mund të përmendim tharjen e syve.  

Vitamina B është vitaminë e tretshme në ujë dhe gjendet në mënyrë të natyrshme në ushqime të ndryshme. Ajo mund të merret me, ose pa ushqim, në çfarëdolloj vakti, por duke qenë se ndikon në prodhimin e energjisë dhe në ushqimin e nervave, sugjerohet të merret esëll në mëngjes. Ka rëndësi të veçantë në metabolizmin qelizor dhe sintezën e rruazave të kuqe. Paçka se janë në të njëjtën familje, llojet e ndryshme të vitaminave B kanë formula dhe funksione të ndryshme. Përgjithësisht vitaminat B luajnë rol në proceset metabolike, në çlirimin e energjisë nga karbohidratet dhe në prodhimin e materialit gjenetik dhe neuropërçuesve.  

Vitamina C është vitaminë e tretshme në ujë dhe gjendet në mënyrë të natyrshme në ushqime të ndryshme. Për përfitimin maksimal të efekteve antioksidante të vitaminës C, ajo sugjerohet të merret esëll në mëngjes. Kujdes! Nëse keni probleme me aciditetin e stomakun, merreni vitaminën C pasi kenë ngrënë. Vitamina C ka rëndësi të veçantë në rregullimin e indeve dhe në prodhimin e disa neuropërçuesve. Vitamina C është gjithashtu thelbësore në mirëmbajtjen dhe forcimin e sistemit imunitar, prej vetive antioksiduese që ka. Përdorimi i rregullt i vitaminës C ka rezultuar në uljen e kohëzgjatjes dhe intensitetit të simptomave të gripit.  

Vitamina D është vitaminë e tretshme në yndyrë dhe gjendet pak më rrallë në mënyrë të natyrshme në ushqime. Sugjerohet ë merret pas një vakti me yndyrë, i cili është zakonisht dreka, por edhe një mëngjes me kos, ose qumësht mjafton pë përthithjen e Vitaminës D.  Ajo ka rëndësi të veçantë në përthithjen në gjak të kalciumit, magnezit dhe fosfateve. Ato gjithashtu luajnë rol thelbësor në në rimodelimin e kockave, riprodhimin qelizor, funksionet neuromuskulare dhe imune dhe në zvogëlimin e inflamacionit. Vitamina D prodhohet në shtresat e thella të lëkurës nga ekspozimi ndaj dritës së diellit, por përgjithësisht në nivele jo të mjaftueshme.  

Vitamina E është vitaminë e tretshme në yndyrë dhe gjendet në mënyrë të natyrshme në ushqime të ndryshme. Si e tillë sugjerohet të merret me një vakt me yndyrë. Ka rëndësi të veçantë në mbrojtjen e membranës qelizore prej reaksioneve oksidative. Ata që konsumojnë suplemente me vitaminë E, kanë incidencë më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare.  

Vitamina K është vitaminë e tretshme në yndyrë dhe gjendet në mënyrë të natyrshme në ushqime të ndryshme. SI e tillë sugjerohet të merret me një vakt me yndyrë. Ka rëndësi të veçantë në kaskadën e reaksioneve të koagulimit të gjakut dhe në lidhjen e kalciumit me indin kockor, gjë që shpjegon rëndësinë e vitaminës K në menaxhimin e osteoporozës dhe në mos kalcifikimin e vazave të gjakut.  

Artikuj të ngjashëm